Bruksel – Lajçak: Dy vende të Ballkanit në prag shpërbërje, tre në krizë të thellë

“Bashkimi Evropian po bëhet një bashkëbisedues gjithnjë e më pak serioz në çështjet e zgjerimit, duke braktisur Ballkanin Perëndimor dhe si rezultat, dy shtete janë në prag të shpërndarjes dhe tre të tjerë janë në krizë të thellë”. Deklarata bëhet nga ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel, të hënën. “Ne u larguam nga Ballkani Perëndimor me fjalë dhe me vepra dhe tani shohim pasojat”, thotë ai, duke shtuar se “BE-ja nuk ka përmbushur rolin e saj udhëheqësi, si palë në dialog, i cili duhet të ofrojë perspektivë për këto vende”. Tani erdhi pas kthimit në Bruksel të shefes së politikës së Jashtme Federica Mogherini, e cila ka informuar ministrat e jashtëm të 28 vendeve anëtare për turin ballkanik, ku vizitoi midis të tjerash edhe Shqipërinë. “Unë mendoj se Përfaqësuesja e Lartë u kthye e frustruar nga udhëtimi i saj në Ballkan”, tha Lajçak. Ai deklaroi se “BE-ja nuk duhet të habitet nëse ‘vendin e lënë bosh; në Ballkan ta zënë lojtarë të tjerë”. Ai kërkoi më shumë angazhim nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor dhe këtë pikëpamje e kanë mbështetur edhe ministrat e tjetër të jashtëm të vendeve të Bllokut. Lajçak ka deklaruar se deklaratat e disa zyrtarëve evropian se rajoni nuk është në rend të ditës, ka shkaktuar humbje besimi tek këto vende. “Praktikisht dhe pa mëdyshje, BE-ja duhet të jetë më e angazhuar, më e dukshme, më e pranishme dhe se oferta jonë, që do të thotë perspektiva evropiane, është më e mira, por kjo po humbet besueshmërinë e saj për shkak të disa deklaratave të bëra nga disa zyrtarë evropianë, se Ballkani nuk është në rendin e ditës”, tha Lajçak për agjencinë sllovake të lajmeve Tasr. Ndërsa ministri i Jashtëm kroat Davor Ivo Stier ka deklaruar se “Kroacia është e interesuar për stabilitetin në Evropën Juglindore dhe se reformat në këto vende duhet të vazhdojnë”.

Artikulli paraprakGJYKATA KUSHTETUESE SHKARKON PËRFUNDIMISHT ELVIS RROSHIN,PËRJASHTOHET PËRJETË NGA FUNKSIONET PUBLIKE
Artikulli tjetërGJYKATA KUSHTETUESE SHFUQIZON DËNIMIN E PËRJETSHËM PËR ALDO BAREN