Ndeshja e radhës për Vllazninë, ajo në transfertë me ekipin e Bylisit do të vendosë shumë për të ardhmen e këtij kampionati për kuqeblutë.

Vllaznia ka 5 pikë në renditje duke u poziconua e treta nga fundit ndërsa ballshiotët janë të parafundit me vetëm dy pikë. Një rezultat pozitiv për Vllazninë do ta shkëpuste ndjeshëm nga rivalët e Bylisit duke qenë më të qenë përsa i përket luftës për mbijetesë, në të kundërt një fitore e ballshiotëve do të rriste edhe njëherë tensionin për shkodranët të cilët do të barazoheshin me pikë. Jo vetëm për shkak të transfertës, Vllaznia do ta ketë të vështirë edhe për shkak të disa mungesave të rëndësishme që do të ketë persa i përket lojtarëve të saj. Trajneri në detyrë Armir Grima do të duhet që ta zgjidh këtë sfidë pa patur dy lojtarët e formacionit siç janë mbrojtësi malazez, Stefan Cicmil, përveçse është dëmtuar në ndeshjen e fundit ndaj Tërbunit, është ndëshkuar edhe me karton të verdhë dhe, për pasojë, duke qenë i treti për të, skualifikohet për sfidën e radhës. E njëjta gjë edhe për mesfushorin Ardit Krymi, i cili, po ashtu, ka tre kartonë të verdhë dhe nuk do të mund të luajë. Në vend të Krymit pritet që të jetë Haxhibuliç ndërsa më e vështirë do jetë për Cicmil sepse Adnan Haxhaj që luajti në kupë përballë Apolonisë nuk ka bërë një ndeshje të mirë duke mos marrë besimin e stafit teknik. Të dëmtuar janë edhe disa futbollistë të tjerë siç janë Pjeshka, Borshi, Kapaklija apo edhe Ahmeti bashkë me sulmuesi Kdouh që u dëmtua në sfidën e kupës me Apoloninë. Infermieria është e mbushur dhe në takimin ndaj Bylisit Vllaznia nuk do jetë e plotë ndërsa stafi teknik s’do ta ketë të lehtë për të bërë përzgjedhjen e lojtarëve.

Artikulli paraprakLAJMËRIMI I ÇUDITSHËM: “VDIQËN HAPËSIRAT PUBLIKE”
Artikulli tjetërSHKELJET NË QARKULLIM, NË DY DITË 144 MASA ADMINISTRATIVE