Këtë të enjte, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen në Bruksel për të arritur dialogun që ka synim normalizimin e raporteve. Kosova insiston se dialogu duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi. Ky është takimi i tretë i liderëve që është kërkuar nga kryediplomati i BE, Joseph Borell.

Pritet të nisë rreth orës 10:30. I pranishëm do të jetë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Një ditë më parë, liderët e Kosovës dhe Serbisë u takuan me sekretarin e përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili ia bëri të qartë Vuçiç se nëse situata në veri të Kosovës përshkallëzohet ata janë të gatshëm të ndërhyjnë.

Sot Kurti dhe Vuçiç do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo vjen pas acarimit të situatës në veri të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit. Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale. Kujtojmë se më 31 gusht, një ditë para se të vihej në zbatim marrëveshja e reciprocitetit, serbët lokalë vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, si edhe sulmuan policinë.

Për shkak të këtyre tensioneve, Kurti vendosi që të shtyjë deri më 1 shtator zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Ditën e djeshme, pas takimit me Stoltenberg, kryeministri Albin Kurti e bëri të qartë që Kosova nuk tërhiqet nga reciprociteti, pasi po zbatojnë marrëveshjen bilaterale me Serbine, por nga ana tjetër edhe Kushtetutën e vendit. Ai akuzoi Serbinë se po punon me një axhendë të qartë nga Rusia që të destabilizojë Kosovën dhe Rajonin.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. vTakimi i parë Kurti-Vuçiç, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kaloi me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Takimi i dytë, i mbajtur më 19 korrik 2021 ishte shumë më i shkurtër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë.

Vendimi për reciprocitetin e targave dhe mjeteve të identifikimit

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti. Pas shtyrjes së zbatimit të reciprocitetit me 1 muaj, u vendos që nga data 1 shtator, qeveria e Kosovës do të nisë edhe lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi. Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Çështja e targave rriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse.

Artikulli paraprakZHDOGANIMI, SHQIPËRIA MË E SHPEJTA NË RAJON: PËR 17% TË TË ANKETUARVE PROCESI NDODH NË MË PAK SE DY DITË
Artikulli tjetërKRIZA EKONOMIKE, BIEN TË ARDHURAT BUXHETORE NË MUAJIN KORRIK. JA SA DOLLARË U ARKËTUAN