Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka shprehur mbështetjen për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shprehim mbështetjen për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të medias në të gjithë botën. Demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike dhe të sakta të siguruara nga media të pavarura”, shkruan Kim.

Edhe ambasada amerikane shkruan në “Facebook” se gazetari luan një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm.

“Media e pavarur është thelbësore për demokracitë e gjalla dhe të qëndrueshme. Gazetaria ka një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, ne falënderojmë gazetarët dhe punonjësit e medias në të gjithë botën”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

Një shyp i lirë, i larmishëm dhe i përgjegjshëm është elementi kryesor i çdo demokracie funksionale. Detyra për informimin e publikut me informacione të vërteta e me cilësi jo vetëm që është bërë më e rëndësishme nga shpërthimi i COVID-19, por edhe shumë më e vështirë. Mediat e lira janë me rëndësi të veçantë për një përgjigje të plotë ndaj pandemisë. Vetëm nëse opinioni informohet rregullisht, mund të pengohet edhe përhapja e virusit.

Shtypja e gazetarëve vërehet sidomos në Kinë, ku Partia Komuniste lejon vetëm interpretimin e saj dhe kritikët zhduken papritur. Në Europë si shembull negativ merret Hungaria, ku ligjet e jashtëzakonshme që mund të çojnë në burg edhe gazetarët.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një kujtesë për të respektuar angazhimin për lirinë e shtypit dhe të medias. Kjo duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për gazetarët dhe aktorët e tjerë mediatikë mbi sfidat e tyre për të garantuar lirinë e shtypit por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale.

Artikulli paraprakMERRNI ÇADRËN ME VETE…PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërRAMA PUBLIKON VIDEON: JA E ARDHMJA E AFËRT DIGJITALE E TRANSPORTIT RRUGOR NDËRQYTETËS PËRMES E-TRANSPORT