Dy shkodranë kanë ndëshkuar Vllazninë, i pari që nga “tuneli”, ndërsa i dyti i hedhur në lojë si zëvendësues.

Fjala është për Alsid Krujën, që ka shënuar me kokë qysh në minutën e tetë, duke e zhbllokuar rezultatin, ndërsa Valdano Nimani ka dyfishuar shifrat në minutën e 77-të. Vlen të theksohet një lojë mjaft e mirë e kuqebluve, të cilët kanë tentuar me të gjitha mënyrat për të mos dalë duarbosh nga kjo transfertë. Sidoqoftë, në ato raste të krijuara në portën e Vujadinoviçit, lojtarët shkodranë nuk janë treguar të saktë. Sa për kronikë mund të evidentojmë minutën e 8-të. Krosim nga e djathta e sulmit vendës, nga goditja e dënimit, prej kapitenit Veliaj. Topi shkon në gjysmëlartësi, në zonën shkodrane, ku Kruja e godet me kokë, duke shënuar. Një minutë më pas bën të pabesueshmen Xhejms, që i vetëm me portierin kuqeblu godet keq me kokë. Në vend që ta dërgonte “sferën” në rrjetë, në mes të portës kundërshtare, ai e nxjerr jashtë saj. Në minutën e 30-të dëmtohet Mustafa, që nxirret me barrelë nga fusha. Cungu hedh në lojë një shkodranin Valdano Nimani, duke e shtuar numrin e tyre në tapetin e blertë, si pjesë e bardhezinjve. Minuta e 54-t: Shtubina gjendet mbi pikën e penalltisë, i pambuluar nga mbrojtja vendëse, godet fuqishëm, por pak jashtë kuadratit të Vujadinoviçit. Rast i artë për të barazuar shkodranët. Pjesa e dytë është mjaft kërkuese për miqtë, të cilët me zëvendësimet e kryera shikojnë dendur nga porta bardhezi. Por, në kohën kur Vllaznia e kishte rritur ndjeshëm ritmin dhe po e mbyllte kundërshtarin në gjysmëfushën e vet, vjen goli i dytë për kurbinasit. Veliaj fut një pasim diagonal, nga e majta në zonën kuqeblu. Topi mbetet për pak mbi vijën fatale, por aty ndërhyn tokazi Nimani, duke e dërguar në rrjetë. Kjo është goditja fatale për shkodranët, që duhet të pranojnë disfatën në këtë transfertë. Laçi mbetet në vendin e 6-të, me 18 pikë, ndërsa Vllaznia e parafundit, me 8 pikë.