Ekipet e Akademisë Vllaznia nuk kanë arritur dot të kualifikohen për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjet çerekfinale janë luajtur në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe si Vllaznia U-17, ashtu edhe Vllaznia U-19 janë mposhtur dhe janë eliminuar. E para që ka zbritur në fushë ka qenë Vllaznia U-17, e cila është ndeshur me ekipin e Vorës. Këta të fundit kanë shënuar shumë shpejt golin e avantazhit që në minutën e shtatë me anë të futbollistit Përhati, por vetëm pas dy minutash shkodranët arritën të barazojnë me sulmuesin Arkan Nikaj. Më pas, në minutën e 37-të ka qenë Zito, i cili ka shpërdoruar një penallti të dhënë për ekipin e Vorës dhe gjithçka ka mbetur në shifrat e barabarta 1-1.

Kur i gjithë takimi u mendua se do të mbyllej me këtë rezultat dhe dy ekipet do t’i drejtoheshin gjuajtjes së penalltive, në minutën e 90-të Jeshili shënoi golin e dytë dhe të fitores për Vorën dhe në këtë mënyrë, ata shkojnë në gjysmëfinale, ndërsa Vllaznia U-17 e mbyll këtu rrugëtimin e saj në këtë kompeticion. Ndërkohë, Vllaznia U-19 ka zhgënjyer tërësisht në sfidën ndaj Tiranës, duke u mposhtur me rezultatin 4-0, duke u eliminuar nga bardheblutë.

Kuqeblutë nuk arritën dot të bëjnë asgjë ndaj kryeqytetasve, të cilët në pjesën e parë shënuan me Dedën, ndërsa në të dytën realizuan edhe tre gola të tjerë me anë të Demiraj, Dedës sërish, si edhe Duros. Në këtë mënyrë, të dy ekipet e Akademisë Vllaznia eliminohen nga Kupa e Shqipërisë, duke mos arritur dot të kualifikohen për në turin gjysmëfinal.

Artikulli paraprak112-VJETORI I POLICISË SË SHTETIT NË LEZHË
Artikulli tjetër112 VITE POLICIA E SHTETIT