Gjyqtarët, trajnim kundër trukimit. Jorgji: S’është e lehtë t’i zbulosh

Normat periodike fizike të gjyqtarëve të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë, në ditët e para të këtij viti janë shoqëruar me një seminar të veçantë, të kërkuar nga FIFA dhe UEFA, për t’u njohur me rrugët e denoncimit të zbulimit të një ndeshjeje të dyshuar si të truktuar. Çështja e trukimeve është shndërruar prej vitesh në kancerin e futbollit ndërkombëtarë, por edhe vendas. Sipas Enea Jorgjit, një ndër gjyqtarët më të suksesshëm shqiptar dhe sigurisht gjyqtar i FIFA-s, zbulimi i një ndeshjeje të trukuar është një mision thuajse i pamundur. “Për ta konstatuar diçka të tillë nuk është kaq e thjeshtë sa ne mund ta transmetojmë këtu në intervista, pasi duhet parë dhe sjellja e skuadrave në fushën e lojës për të cilën jo gjithmonë duhet të jemi paragjykues. Jo gjithmonë mos impenjimi i skuadrave përkthehet në një ndeshje të trukuar. Askush në fushën e lojës nuk mund ta vërtetojë se kjo sjellje po bëhet për këtë qëllim”, shprehet Jorgji. Ndërkohë të gjitha kritikat dhe dyshimet kryesisht bien mbi arbitrin e ndeshjes, ndërsa Jorgji thekson të kundërtën, trukuesit, nuk janë aktorë të brendshëm të një ndeshjeje futbolli. “Gjyqtarin e shikojnë si një figurë komprometuese apo dyshuese. Sigurisht që me veprimet tona, herë-herë edhe të gabuara, por aspak të qëllimshme, bëhemi faktorë dyshues, por unë e përsëris se nuk jemi. Ndoshta faktorët e jashtëm janë iniciatorët dhe kërkuesit më të mëdhenj që bëjnë këtë gjë”, shprehet arbitri i FIFA-s. Gjithashtu në përfundim të normave, shoqata e arbitrave të Shqipërisë ka zbuluar edhe stemën e re me të cilin do të përfaqëson gjyqtarët gjatë pjesës së mbetur të sezonit.