Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me Megaoperacionin që u zhvillua sot, duke e konsideruar një “proces pastrimi nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët e agjencive ligjzbatuese”.

Çuçi thotë se të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë, ndërsa vlerëson bashkëpunimin me autoritetet italiane.

“Policia e Shtetit ishte pjesë e një tjetër operacioni ndërkombëtar për goditjen me ashpërsi të elementëve kriminalë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, të dyshuar për korrupsion e pastrim parash, mes tyre edhe zyrtarë të agjencive ligjzbatuese. Ky është edhe një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit.

Hetimi i mirë-koordinuar me autoritetet italiane dëshmon kapacitetet në rritje të SPAK dhe Policisë së Shtetit, që janë sot partnerë dinjitozë në luftën kundër krimit të organizuar, që nuk njeh kufij. Aksioni, shembull i ruajtjes së konfidencialitetit, megjithë kompleksitetin e tij.

Pasuri të dyshuara me burim aktivitetin kriminal janë sekuestruar gjatë këtij operacioni, për të goditur financat e grupeve kriminale dhe kthyer këto pasuri, në të mira publike për qytetarët tanë.

Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin. Të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë!”, shkruan Çuçi.