Një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, në disa banesa, të shumave të mëdhaja të parave (në lekë dhe në paund) dhe të sendeve me vlerë është arrestuar nga policia e Shkodrës.

39 vjeçari banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.

Vjedhja e fundit për të cilën dyshohet ka ndodhur më 25 shtator 2022 në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës. “Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sende të tjera, me vlerë” informoi sot policia.

Ndërkohë pas ndalimit të 39 vjeçarit është bërë e mundur zbardhja e disa vjedhjeve të tjera me dhunë, të cilat dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dhe konkretisht:

•Më datë 11.09.2022, në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetases F. D., dhe i kanë marrë një shumë parash.

•Më datë 23.10.2022, gjatë natës, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetasit R. B., 59 vjeç, ku kanë marrë me dhunë, rreth 600 000 lekë dhe sende me vlerë.
39-vjeçari ishte deportuar nga Belgjika pasi kishte kryer dënimin për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu 39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, bashkëpunëtorë të këtij shtetasi, si dhe për zbardhjen e dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura ndër vite, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.

 

Artikulli paraprak100 FAMILJE TË IZOLUARA PREJ 6 DITËSH NË TOROVICË
Artikulli tjetërNIS TËRHEQJA E UJIT NGA ZONAT E PËRMBYTURA NË LEZHË