Në kuadër të fushatës së hapur për të testuar sa më shumë kandidatë potencialë të cilët mund të përforcojnë skuadrën e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm

, me ekipin shkodran është bashkuar së fundmi një tjetër portier në provë. Kësaj here bëhet fjalë për një gardian që mbërrin nga Suedia. Portieri 30-vjeçar, Ola Niklas Uddenas ka mbërritur sot në mesditë në Rinas, ku është pritur nga përfaqësues të klubit shkodran dhe menjëherë është nisur drejt qytetit verior, aty ku pasdite do të fillojë edhe provën me kuqeblutë. Në këtë mënyrë drejtuesit e kësaj skuadre duken të vendosur për të gjetur një portier cilësor. Insistimi i drejtuesve kuqeblu për të tentuar me një tjetër protier, vjen pas zhgënjimit nga kandidati kosovar, Ilir Avdyli, i cili pas tre ditësh provë u largua.  E njëjta gjë mund të thuhet edhe për malazezin Jasmin Agoviç, ndonëse për këtë të fundit ende nuk dihet saktësisht nëse do ta vazhdojë apo jo proven. Tashmë në stërvitje mbërrin edhe një portier tjetër. Uddenas ka një përvojë disi të gjatë në futbollin nordik teksa ka luajtur fillimisht me ekipin e Rosengard, për të kaluar më pas tek FC Hollviken në formë huazimi, para se të kalonte tek Landskrona. Ndërkohë, për pak muaj gjatë sezonit të kaluar ka qenë pjesë e ekipit danez Silkeborg. Prej disa muajsh është pa skuadër dhe për këtë arsye, ai ka tentuar që të gjejë një ekip të ri. Me anë të menaxherit të tij ka hyrë në kontakte me Vllazninë, drejtuesit e së cilës i kanë ofruar një mundësi për t’u provuar dhe nëse bind, mund të qëndrojë në Shkodër.

Artikulli paraprakKALAJA E SHKODRËS, RRITET NUMRI I VIZITORËVE TË HUAJ
Artikulli tjetër“SHPËDORIM DETYRE” DHE “KULTIVIM NARKOTIKËSH”, ARRESTOHEN DY POLICË NË PUKË