Çmimi i karburantit është rritur përsëri. Këtë shtunë një litër naftë po shitet në pikat e karburantit me 187 lekë, duke u shtrenjtuar me 10 lekë krahasuar me fillimin e muajit.

Me të njëjtën vlerë po shitet edhe benzina, në vlerën e 187 lekëve, ndërsa gazi ka mbetur në 89 lekë. Ky është shtrenjtimi i 6 që po ndodh në tregun e hidrokarbureve brenda këtij viti, ku në fillim të tetorit ishte 177 lekë. Ndërsa në raport me vitin e kaluar nafta është shtrenjtuar me rreth 30 lekë, pasi vjet është shitur mesatarisht nga 155-160 lekë.

Sipas ekspertëve çmimi nuk mund të krahasohet me vjet, pasi ishte vit pandemie dhe konsumi ishte i ulët, ndërsa këtë vit kërkesa është shumë e lartë ndërsa oferta është e ulët.

Shkak për këtë rritje sipas ekspertëve është bërë rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu ekspertët thonë se operatorët e tregut të karburantit po përpiqen të mbulojnë humbjet e vitit të kaluar, por nuk lenë pa përmendur edhe taksat që aplikohen mbi këto produkte.

Një shtrenjtim i tillë vjen një ditë pasi në rrjetet sociale u njoftua një protestë kundër shtrenjtimit të karburantit, por që dështoi pasi asnjë makinë nuk ndaloi në rrugën në orën e përcaktuar.

Shtrenjtimi i naftës dhe i produkteve ushqimore janë bërë shkak për rritjen e inflacionit, që në shtator arriti në 2.5%.

Artikulli paraprak‘COVID I GJATË’ PO MBAN TË MBËRTHYER 20 MIJË SHQIPTARË, PASOJAT NË SHËNDET
Artikulli tjetërMOTI I KEQ ‘PUSHTON’ SICILINË, 80 FAMILJE BLLOKOHEN NGA PËRMBYTJET