Prokuroria kundër ILDKPKI-së edhe në Gjykatën e Apelit .Ankimon shtatë vendimet për sekuestrimin e materialeve

Në vijim të hetimit të nisur ndaj disa zyrtarëve të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Prokuroria e Tiranës ankimon 7 vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila nuk lejoi sekuestrimin e serverit qëndror të këtij institucioni. Gjatë javës, ankimimi do të shqyrtohet në Apel. Prokuroria ankimon në Gjykatën e Apelit, 7 vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, që rrëzoi vendimet e prokurorisë për sekuestrimin e regjistrave dhe serverit qendror të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të interesit. ABC Neës ka mësuar se task-forca e prokurorisë, ka kundërshtuar në Gjykatën e Apelit 7 vendimet e firmosura nga gjyqtari Julian Haxhiu, i cili pranoi kërkesën e ILDKPKI-së për shfuqizimin e vendimeve të sekuestrimit të të gjitha dosjeve. Sipas akuzës, për llogari të hëtimit të nisur kryesisht ndaj zyrtarëve të ILDKPKI-së për akuzën e mosveprimit në rastet e konstatimit të konfliktit të interesit, prokuroria ka vendosur sekuestrimin e regjistrave dhe serverin e plotë të këtij institucioni, ku ndodhen deklaratat e pasurisë, e të gjithë zyrtarëve që i ngarkon ligji për vetëdeklarim. Këto materiale, thotë prokuroria, është nevojshme të sekuestrohen për të parë nëse zyrtarët e ILKDPKI-së kanë kryer detyrën apo kanë abuzuar me të, duke konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Por ky qëndrim i Prokurorisë u rrëzua nga Gjykata e Tiranës, e cila ndër të tjera thotë se Prokuroria nuk mund të sekuestrojë të gjithë serverat dhe regjistrat fizike të ILDKPKI-së, pasi e kalon në kolaps këtë institucion. Gjykata thotë se, në rastin e nisjes së këtij hetimi, prokuroria ende nuk e ka identifikuar faktin penal dhe objekti është shumë i gjerë, çka për gjykatën, Prokuroria duhet të identifikojë fakte konkrete që mund të përbëjnë fakte penale. Pra veprime apo mosveprime konkrete te funksionarëve konkrete të ILDKPKI-se që kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës. Sipas Gjykatës, nga ana e Prokurorisë nuk ka asnjë indicie të qartë dhe të plotë në lidhje me çështjen penale dhe autorët e mundshëm të tij. Në të 7 vendimet që mbajnë firmën e gjyqtarit Haxhiu, thuhet se mosidenitifikimi i fakteve konkrete nga Prokuroria sjell një hetim të ç’organizuar, konkluzion ky i nxjerrë nga numri i lartë i vendimeve për sekuestrimin e materialeve në ILDKPKI. Për këto konstatime të Gjykatës, Prokuroria ka shprehur pakënaqësinë e saj, duke ankimuar të 7 vendimet në Gjykaten e Apelit. Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e dokementacioneve konkrete, sekuestrimin e regjistrit fizik të procedurave të “kontrollit të konfliktit të interesit” dhe atë të “kontrollit të plotë” si dhe sekuestrimin e të dhënave të ruajtura ne serverin qëndror të sistemit kompjuterik të ILDKPKI-së.

Artikulli paraprakANTITERRORI I POLICISË ZBARDH ITINERARIN E TË ARRESTUARVE PËR TERRORIZËM NJË MUAJ PARA NDESHJES SHQIPËRI-IZRAEL
Artikulli tjetërGODITET GRUPI SHQIPTAR I GRABITËSVE TË BANESAVE