GJATË DITËVE NË VIJIM PRITET QË DISA ZONA TË MBULOHEN NGA 90 CM DËBORË. Një stuhi masive e borës ka goditur bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara. Nju Jorku dhe pjesë të tjera të rajonit janë mbyllur, pasi stuhia Juno pritet të sjellë deri në 90 centimetra borë.

Asnjë makinë që nuk është pjesë e emergjencave civile nuk do të lëvizë në rrugë, ndërsa janë ndaluar edhe shërbimet e metrosë. Guvernatori i Nju Jorkut paralajmëroi gjoba deri në 300 dollarë për këdo që guxon te dalë në rrugë me makinë. 6 shtetet e prekura Nju Jork, Nju Xhërsi, Konektikat, Rod Ajllënd, Masaçusets dhe Nju Hempshir, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Bizneset dhe shkollat janë mbyllur, ndërsa mbi 6,500 fluturime në aeroportet e bregdetit lindor janë anuluar. Meteorologët parashikojnë se moti ekstrem do të prekë më shumë se  20 % të popullsisë amerikane. Edhe shërbimi hekurudhor mes këtyre shteteve është pezulluar. 1 800 borëpastuese dhe 2.400 punëtorë të mirëmbajtjes u angazhuan në rrugët e Nju Jorkut për të pastruar dëborën duke hedhur kripë. Kryebashkiaku i De Blasio u bëri apel banorëve të mos dalin nga shtëpitë.  Edhe Kombet e Bashkuara e mbyllën selinë dje pasdite, ndërsa u anuluan edhe përkujtimoret për ditën e Holokaustit. Ndërkohë në shtetet bregdetare erërat e fuqishme pritet të sjellin dallgë gjigande 1 metër mbi normalen.  Në aeroporte situata është kaotike pasi mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar. Udhëtarët e bllokuar u ankuan se nuk mund të shkonin në kohë pranë familjeve apo në takimet e planifikuara të biznesit. Stuhia më e madhe e dëborës në Nju Jork është rregjistruar në 11-12 shkurtin e vitit ku niveli i reshjeve arriti deri në 68 centimetra.

Artikulli paraprakGJYKATA E APELIT, SHTOHET ORGANIKA
Artikulli tjetër70 VJETORI I ÇLIRIMIT TË HEBRENJVE NGA SOVJETIKËT