Ish drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër Blediana Nika ka komentuar sërish shkarkimin e saj nga ky post duke zbuluar diçka më shumë. Fakti që ish-drejtorja nuk ka pranuar që të japë dorëheqjen lidhet me dinjitetin e saj personal dhe kontratën që ka patur. Këtë deklaratë ish-drejtorja e bëri teksa mori pjesë në një aktivitet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”.

E pyetur nëse ndryshimi i disa drejtorëve rajonal dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj a mund të sjellë një pakënaqësi dhe reagim në Partinë Socialiste të Shkodrës, ish drejtorja Nika nuk preferoi të komentojë.

Ndërkohë drejtori rajonal i arsimit në Shkodër Bardhok Pulaj e quan normal shkarkimin e drejtores Nika dhe zëvendësimin e saj me një drejtuese tjetër.

Një ditë më parë ish-drejtorja Nika reagoi ashpër duke thënë se në rastin e saj padrejtësia është kthyer në ligj dhe kur ndodh kështu rezistenca është detyrë duke nënkuptuar debatet prej më shumë se një muaji lidhur me këtë çështje.

Sipas saj zbatimi i ligjit i ka krijuar shumë armiq dhe ky shkarkim është bërë nga disa persona si një borxh që duhet larë të tjerëve. Drejtorja e re e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër është Sindis Kopliku e cila u komandua pas shkarkimit të Blediana Nikës.

Artikulli paraprakKRYESIA E PD VENDOS: ANALIZË E MASAKRËS ZGJEDHORE TË 25 PRILLIT NË TË GJITHA NIVELET, RAPORTI I PLOTË PARAQITET BRENDA 10 KORRIKUT
Artikulli tjetërSHKODËR, PROBLEME ME REGJISTRIMIN E NXËNËSVE NË E-ALBANIA