INSTAT ka publikuar të dhënat për numrin e vdekjeve në vitin 2017, ku rezulton se ato kanë qenë në rritje. Dy faktorët kryesorë që shkaktojnë vdekjet më të mëdha janë sëmundjet e qarkullimit të gjakut (zemra dhe goditjet në tru) dhe tumoret, të dyja në rritje.

Në vitin 2017, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 22.232, duke shënuar një rritje prej 3,9 %, krahasuar me vitin paraardhës.

Sipas gjinisë, numri i vdekjeve të raportuara për meshkujt është 11.610 (2,9 % më shumë se në vitin 2016) dhe për femrat 10.622 (5,1 % më shumë se në 2016).

Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “Shkaqet natyrale” 90,1%, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,1 %.

Në vitin 2017, vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut”, përbëjnë 53,7 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup-sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 41,5 për 10 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës.

Brenda këtij grupi, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 32,6 % dhe “Sëmundje kronike të zemrës” me 26,3 %.

Vdekjet nga grupsëmundja “Tumore” zënë 16,4 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara.

Niveli i vdekshmërisë për këtë grup-sëmundje është 12,7 për 10 mijë banorë dhe ka një rritje prej 2,0 %, krahasuar me vitin 2016. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarjes”, me 33,5 %.

Grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” është shkaku dominant i vdekjeve në të gjitha qarqet. Ky shkak shënon vlerën më të lartë në qarkun e Beratit me 61,7 % % të numrit gjithsej të vdekjeve dhe të Kukësit me 61,6 % të numrit gjithsej të vdekjeve.

Grupsëmundja “Tumore”, shkakton mbi 13,0 % të vdekjeve gjithsej në secilin qark, duke shënuar vlerën më të lartë në Shkodër me 18,2 % të vdekjeve.

Artikulli paraprakMASHTRUAN ME PRONAT, REAGOJNË PRONARËT
Artikulli tjetërKOMBËTARJA U-19 DY MIQËSORE ME KOSOVËN