Policia ndalon tre persona, të dyshuar si autorë të vendosjes së eksplozivit në Fushë Krujë.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, pas një pune hetimore intensive dhe të specializuar kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fushë-Krujë ku shpërtheu nja sasi lënde eksplozive. Uniformat blu kanë identifikuar dhe ndaluar tre autorët, përkatësisht shtetasit: -Skënder Vathi 49 vjeç, banues në Fushë-Krujë; -Erjon Tema 19 vjeç, banues në Krujë; -Erges Duka 23 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Policia sqaron se objektiv i sulmit qenë pronari i një rrobaqepësie, shtetasi S.T. Pikërisht në automjetin e biznesmenit është vendosur lënda eksplozive, nga shpërthimi i së cilës janë dëmtuar dhe 5 automjete të tjera të parkuara pranë. “Këta shtetas më datë 15.11.2016, rreth orës, 17:45 në lagjen “Punëtori” në Fushë-Krujë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta kanë vendosur një sasi lënde plasëse eksplozive në mjetin tip Volsvagen Passat me targa AA 545 LS në pronësi të shtetasit S.T. 48 vjeç, banues në Fushë-Krujë, të cilin e kishte të parkuar pranë biznesit të tij, rrobaqepësi. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar xhami i përparmë i makinës, xhamat e rrobaqepsisë, si dhe janë dëmtuar 5 automjete të tjerë të parkuara aty pranë” theksohet në njoftimin e policisë. Efektivat e Policisë sapo kanë marrë dijeni për ngjarjen kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, të cilët kanë kqyrur vendin e ngjarjes, mbledhur provat materiale dhe pyetur dëshmitarë me qëllim zbulimin dhe zbardhjen e plotë të saj. Sipas bluve, tre të ndaluarit janë persona me preçedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe pronës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale”Shkatërrimi i pronës me eksploziv”dhe” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”në bashkëpunim.

Artikulli paraprakLIGJI I SPORTIT, PRESIDENTI I FSHF NË KOMISION
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN RRETH 1.8 TON KANABIS,KATER NE PRANGA,TRE NE KERKIM