Zbardhen detaje të reja nga zhdukja e biznesmenit italian në Shqipëri, Davide Pecorelli. Mediat italiane shkruajnë sot se nga hetimet e autoriteteve fqinje janë zbuluar tre elementë të rëndësishëm lidhur me zhdukjen e biznesmenit. Së pari, partnerja e tij shqiptare, me të cilën Davide kishte një djalë, ia ka besuar çështjen avokatit Giancarlo Viti, i cili përfaqëson atë dhe të miturin si palë të prekura në këtë situatë. Elementi i dytë i referohet ADN-së dhe mosrespektimit të afateve në lidhje me dërgimin e tyre në Itali.

Siç shkruajnë mediat fqinje, mostrat e ADN-së së Pecorellit nuk kanë arritur ende për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllait të tij Antonello. Prandaj, sipas medias italiane, informacionet nuk vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare.

Së treti, ditët e fundit është bërë publike dëshmia e një miku të tij, i cili tregonte se Pecorelli ishte entuziast për biznesin e tij në Shqipëri. “Unë u takova me Daviden në fund të vitit, duke folur për punë dhe ai konfirmoi interesin e tij për të gjetur partnerë në Shqipëri në mënyrë që të prodhonte mallra me markën ‘Hairdressers Milan’.

Por jo vetëm kaq, sepse midis tetorit dhe Nëntorit, nga sa kam mundur të kuptoj, këta ‘partnerë’ të mundshëm kishin ardhur në Itali dhe në fakt ai më kishte thënë një mbrëmje se kishte një takim të rëndësishëm”. Ish-gjyqtari i futbollit mbërriti në 3 janar në Shqipëri.

Ai shkoi në Vlorë dhe më pas në Shkodër me destinacion përfundimtar Pukën, ku qëndroi për dy net. Më 6 janar Davide humbi kontaktet me të afërmit, dhe nuk dihet nëse eshtrat në makinën e djegur i përkasin atij. Policia shqiptare mënjeherë nisi hetimet ndërsa ngjarja u bë publike disa ditë pasi kishte ndodhur.

Deri më tani është ende e paqartë nëse Pecorelli është vrarë apo është një ngjarje aksidentale edhe pse dyshimet janë të forta se është vrarë. Pak ditë më parë në qytetin e Pukës mbërritën autoritete të policisë italiane duke zhvilluar një takim me policinë shqiptare lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Artikulli paraprakADEMI: DO T’I FATUROJ QEVERISË DËMET E PËRMBYTJEVE
Artikulli tjetërOBOT, BANORËT: TË IZOLUAR DHE TË HARRUAR