Rreziku nga ashensori, zjarrëfikësit ndërhynë në 1.700 raste bllokimi

 

Nisur nga rasti i fundit tragjik, ku një 29-vjeçare humbi jetën nga një zjarr që ra në ashensor. Shumica e qytetarëve nuk paguajnë tarifën duke bërë që ato të funksionojnë jashtë kushteve teknike. “Është një tmerr. Vumë një dërrasë se të bjerë fëmija atje brenda… Askush nuk paguan”, thotë një grua e moshuar. Vetëm në kryeqytet gjatë vitit 2016 zjarrfikësit kanë ndërhyrë në më shumë se 1.700 raste të bllokimit të qytetarëve në ashensor. Por si duhet të veprojnë këta të fundit kur gjenden në një situatë të tillë? “Një qytetar nëse ngelet në ashensor duhet të ruajë qetësinë, të mos krijojë panik, të mos shtypë butonat e panelit të ashensorit, por vetëm atë të alarmit”, thotë Arben Cara, komandant i zjarrfikësve. Zjarrfikëset hasin probleme edhe me banorët e kateve të funidt të pallateve që zaptojnë daljen në tarracë. “Gjej rastin t’iu bëj thirrje qytetarëve në katet e fundit që të mos i bllokojnë baxhat e tyre pasi ato janë për të gjithë banorët, për raste emergjente dhe nëse konstatohet një gjë e tillë do të ketë masa deri në ndjekje penale, pasi kjo na ka krijuar shumë herë vështirësi në rastet e zjarreve”, thotë Cara.