Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, ka nisur hetimin pasuror ndaj Vladimir Gjutës.

Gjuta u arrestua reth orës 08:45, të 10 shkurtit nga efektivët e Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash afër selisë së PS.

“Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare” sqaron policia në njoftimin e publikuar një ditë më pas.

Shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.

“Në cilësinë e provës materiale Gjutës iu gjetën 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja. Po gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas” informoi policia.

Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.